“Bëhuni njëherë bashkë o Shqiptar”

HomeDiaspora

“Bëhuni njëherë bashkë o Shqiptar”

O shoqëri shqiptare, që kurrë nuk u bët shoqëri e vetvetes. O shoqëri e Edi Ramës, Saliut, Ilirit dhe Lul nulit. Po u prishin shtëpitë me dhunë një pjese nga ju. Me dhunë, po i rrëzojnë nënat shkallëve, grave tuaja po u japin shtymën tek dera e shtëpisë. Mendoni se sa i detyroheni fëmijëve. Eshtë gjaku i tyre metropoleve

të botës. Nuk e keni idenë e lekut të emigrantit. Arsyeja, u ka zënë sytë Edi, Saliu, Iliri dhe Lul nuli. Bëhuni një herë bashkë, një shoqëri perëndimore se do ndihmoni veten jo fqinjin që ka hedhur 3 kate dhe ti 2. Lërini mënjanë Edi Ramën, Saliun, Ilirin, apo Lul nulin. Një anglez me emrin Xhon, (John Donne 1572-1633), thotë mos pyet se për kë po bie këmbana e kishës së fshatit. Po shko aty, se, kur vdes një njëri, ka vdekur edhe diçka brenda teje. Ndaj shko e përcille. Me një fjalë po të vjen radha edhe ty. Shteti që shëmb e hedh në rrugë njerëz, nuk është shtet ligjor. Kësisoj pas këtyre që po ulërasin e bërtasin duke u zënë me uniformat e policisë, u vjen radha shpejtë edhe ju. Shqipëria ka kohë që ka devijuar nga shteti ligjor, me pak fjalë nuk po bën demokraci. Pasi demokracia është gjithmonë marrëveshje dhe të drejtat ligjore, të drejtat e njeriut. Eshtë votë kolegjiale, jo urdhër. Ata që janë në krye po bëjnë luftë të vënë poshtë njëri-tjetrin. Dhe ju jeni kthyer në ca tifozë të sëmurë.

Ka 30 vjet që Shqipërisë i ikën gjaku i ri. Janë të suksesshëm botës, por sa mijra prej tyre nuk kanë akoma kushtet më minimale, të qytetarit perëndimor. Nuk janë as mish e as peshk. Ndajnë banesën për të paguar sa më pak qira. E ndajnë që të ndihmojnë prindin e sëmurë. T’i ndërtojnë një dhomë a një kat, ku më shumë se tullat kokës, u hanë shpirtin sportelet e administratës. Sa prej tyre kanë humbur vite pune pas shteti nuk ua njeh kontributin. Janë pa letra, pa vite pune, pa pension. Dhe më e dhimshmja pa atdhe. Shqipëria i quan emigrantë, Greqia apo Italia, i quan shqiptarë, ardhacakë etj.

Sa prej tyre i gjen deri në Ekuadorin e largët ngërthurur keq me botën e errët të trafiqeve të drogës. Babai në Shqipëri nuk e do këtë, as nëna…, por bijtë kanë marrë dheun mbarë. Ca kapituj të errët edhe këto që ndyejnë keqas modelet e mira. Shqiptarët nuk kanë vetëm nënë Terezën, por edhe kapitalin e drogës. Plagë sociale që nuk investohet aspak. Por jem gati të tresim edhe pikën e fundit të gjakut për të prishur, për ngërçe politike, për vulgaritetin social mes grupeve pas njëshave. Dhe kurrë pas njëri-tjetrit.

Ndaj sot në internet shikon të qarkullojnë ca video me dhunën policore karshi banorëve në një lagje periferike të Tiranës. Janë video amatore. Po u prishin shtëpitë. Po i nxjerrin në rrugë etj. Në ‘të e sipër më bën përshtypje se sa pak po pasqyrohet kjo në shtyp, por u kujtova se si ca ditë më parë u shpërndanë po në internet faturat e bakshisheve që kishte përfituar shumë nga webet shqiptare. Nuk mund të presësh pasqyrim të realitetit nga ata që marrin bakshishe. Lërini menjëanë sikur një ditë, tifozeritë politike. Bëhuni vëllezër, se indinjata nuk fillon vetëm kur të hedhin çatinë tënde në tokë, por edhe të atij shqiptarit në lagjen matanë.

NGA: ILIR LEVONJA

COMMENTS

DISQUS: 0