Gjykatat serbe fillojnë një seri aktakuzash ndaj personaliteteve shqiptare të luginës

HomeLajmeRajoni

Gjykatat serbe fillojnë një seri aktakuzash ndaj personaliteteve shqiptare të luginës

Gjykatat serbe në Vranjë e Bujanoc kanë nisur një seri ftesash për personalitete të caktuara shqiptare në Luginën e Preshëvës të cilat prokuroria serbe i akuzon për shkelje ligjesh.

Ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Granit Sadriu është ftuar në gjykatë me arsyetimin se ka shkelur ligjin derisa ka lëshuar njërën nga sallat e këtij institucioni për manifestimin e Ditës së Flamurit Kombëtar.

“Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Në vendet tjera në shekullin XXI njerëzit mendojnë për zhvillim ekonomik”, deklaroi Sadriu në RTK.

Nga ana tjetër departamenti Special i Prokurorisë së Nishin ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Shaip Kamberi për tejkalim të ndarjeve buxhetore kur ai ishte kryetar i Bujanocit.

“Unë do të përballem në aspektin juridik me këtë aktakuzë, dhe nëse e shoh që akuza është politike do t’i përgjigjem në mënyrë politike”, deklaroi Kamberi.

Me aktakuza nga gjykatat serbe po përballet edhe kryetarja aktuale e Preshevës Ardita Sinani dhe ish-kryetari Shqipërim Arifi.

Për Jeton Ismailin nga shoqëria civile, veprimet e tilla nga gjykatat serbe janë të papranueshme dhe tendencioze.

“Këto janë një formë e presionit që çdo ditë e më te për po shtohet, sidomos ndaj intelektualëve shqiptarë, qëllimi final i së cilave duket të jetë braktisja e këtyre trojeve nga shqiptarët”.

Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, derisa shqiptarët përsëri pritet të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

COMMENTS

DISQUS: 0