LDK-ja ankohet në Supreme për vendimin e PZAP-së rreth votave me postë në Dragash

HomeKosova

LDK-ja ankohet në Supreme për vendimin e PZAP-së rreth votave me postë në Dragash

Lidhja Demokratike e Kosovës është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me refuzimin e votave në Komunën e Dragashit, të ardhura nga diaspora.

Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi, deklaroi se tre gjyqtarë të PZAP-së i kanë refuzuar të gjitha votat e diasporës, të cilat vota ishin verifikuar, hapur e pranuar si të rregullta nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Tentimi i anulimit është përpjekje antidemokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë. LDK-ja ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë për votat e tyre në raundin e dytë. Po ashtu ka dorëzuar edhe të gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit zgjedhor e vullnetit qytetar”, deklaroi Halimi.

Ajo theksoi se LDK-ja beson që sistem zgjedhor do të mbrohet nga Supremja, derisa shtoi se vullneti i qytetarit do të mbrohet me dinjitet.

“Qytetarët e Dragashit të mbesin të qetë. Askush nuk do të prek vullnetin e qartë”.

Kandidati i LDK-së për Komunën e Dragashit, Bexhet Xheladini, tha se fitorja i është marrë në tavolinë përmes refuzimit të votave nga diaspora.

“Kemi përgatitur ankesën që e kemi dorëzuar në Gjykatën Supreme, që vjen pas vendimit të PZAP-së për anulimin e votave nga diaspora. Kësaj ankese ia kemi bashkangjitur të gjitha provat. Ne kemi përgatitur një dosje që kemi dëshmuar se vendimi i PZAP-së ka qenë skandaloz dhe s’ka qenë i drejtë. Mua më është marrë fitorja në tavolinë. Jemi të bindur se Supremja neve do të na shpallë si kryetar të ardhshëm të Dragashit”, tha ai.

COMMENTS

DISQUS: 0