Restoranti i shqiptarit shpallet më i miri në Houston të SHBA-së

HomeLajmeShqiperia

Restoranti i shqiptarit shpallet më i miri në Houston të SHBA-së

Edhe pse po vazhdon pandemia e coronavirusit, restorantet e reja po hapen pothuajse çdo ditë në qytetin e Houstonit të SHBA-së.

Gazeta e njohur teksasiane për ushqime, houstoneater, ka përzgjedhur 18 restorantet më të mira të reja të vitit 2022.

Revista e ka renditur restorantin shqiptar, d’Alba, si më të mirin për këtë vit dhe iu ka sugjeruar të gjithëve që ta vizitojnë atë.

“Ky restorant i ri sjell një vendtakim shumë të nevojshëm në GOOF, duke ofruar pjata të shijshme të makaronave të bëra me dorë; thëllëzë teksasiane të pjekura në skarë me tepande (erëza) ulliri qershie dhe quinoa (bimë natyrale); dhe ushqime si bukë me tullumbace me një përzgjedhje salcash”, shkruan në artikullin e saj revista.

Zëdhënësi për media i restorantit dhe një ndër pronarët, Daut Elshani ka treguar edhe sekretin e suksesit.

“E para dhe mbi të gjitha është kujdesi ndaj klientëve. Së dyti, ushqimet e përgatitura me delikatesë dhe shije. Si dhe e fundit, jo për nga rëndësia, është edhe ambienti dhe çmimet e arsyeshme”, ka pohuar Elshani.

Houstoneater më tutje shkruan se në restorant mund të shijoni një gamë të gjerë koktejesh me lëngje të frutave të freskëta të përgatitura në restorant, si dhe verëra nga e gjithë bota duke përfshirë edhe verërat tona të Stone Castle nga Rahoveci.

Duke marrë parasysh rrethanat, restoranti e ka dëshmuar vetveten si mjeshtër i përshtatjes dhe po shkëlqen me të vërtet në këtë botë të re të guximshme të ngrënies, shkruan gazeta.

Më tutje Elshani ka thënë se do të ketë edhe risi të tjera në restorant duke mos iu shmangur parimeve tona – shërbim i veçantë, ushqime të shijshme dhe ambient edhe më të rehatshëm.

Ndryshe, d’Alba në gjirin e vetë ka kryesisht punëtorë shqiptarë të dëshmuar në fushën e gastronomisë.

COMMENTS

DISQUS: 0