Sveçla pritet në takim në Gjermani nga ministri i brendshëm i Bavarisë

HomeLajmeKosova

Sveçla pritet në takim në Gjermani nga ministri i brendshëm i Bavarisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është pritur në takim nga Joachim Herrmann, ministër Shtetëror i Ministrisë për Punë të Brendshme, Sport dhe Integrim, i Landit të Bavarisë.

Në këtë takim ministri Herrmann ka falënderuar ministrin Sveçla për vizitën dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e mirë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Ai gjithashtu u shpreh për interesimin e tij për fuqizimin e këtij bashkëpunimi dhe me tutje në fushat me interes për të dy palët.

Ndër të tjera, ministri Herrmann ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit konkret në luftimin e trafiqeve të ndryshme, shkëmbimin e informatave, përfshirë këtu dhe migrimin ilegal si dhe shprehi gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjes konkrete për Kosovën.

Me këtë rast, ministri Sveçla ka falënderuar ministrin Herrmann për mikpritjen dhe mbështetjen që Landi i Bavarisë ka dhënë për Kosovën, sikurse mbështetja e tyre për procese të rëndësishme siç është anëtarësimi në Interpol dhe lehtësimi i procedurave të ndryshme për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Bavari.

Gjithashtu, ministri Sveçla ka kërkuar mbështetjen e tij në votimin që pritet të mbahet në çerekun e parë të këtij viti për njohjen reciproke të patentshoferëve.

Ai gjithashtu e ka njoftuar ministrin Herrmann me prioritetet dhe rezultatet e arritura deri më tani, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sfidat konkrete në këtë fushë.

“Si ministër i Punëve të Brendshme është e rëndësishme të shpreh gatishmërinë time për të punuar shumë ngushtë në fushat e interesit të përbashkët dhe përmes bashkëpunimit të hapur dhe të sinqertë, komunikimit dinamik për të arritur objektivin e përbashkët të rritjes së sigurisë në përgjithësi”, ka theksuar Sveçla.

Të dy u dakorduan se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe intensifikojnë projektet e përbashkëta si në fushën e avancimeve të kapaciteteve njerëzore, po ashtu dhe në avancimin e teknologjisë për luftimin e formave të ndryshme të krimit.

COMMENTS

DISQUS: 0